Shkruan Leutrim Sahiti, Sociolog
Dita Botërore e Punës Sociale e gjenë Kosovën pa ministri të familjes dhe çështjeve sociale, pa ligj për shërbime sociale tash e 15 vite, me Qendra për Punë Sociale të mbushura me jo-profesionistë, militantë të partive politike e shumë probleme tjera.
Shteti ynë që nga paslufta e deri me sot pothuajse të gjithë energjinë e ka fokusuar në dhënie lëmoshë për kategoritë sociale, e cila lëmoshë i ka mbajtur ata në pasivitet dhe rreth vicioz pa ndonjë mundësi për avancim.
Fokusi i qendrave sociale ishte vetëm në trajtim të rasteve por jo edhe në preventivë, kështu roli i këtyre qendrave me keqardhje e them por fatkeqësisht ka qenë minor dhe kjo për disa shkaqe:
E para, QPS-të me vite janë mbushur me militantë të partive, pa fakultet, me ekonomistë, politologë e profesione tjera që nuk lidhen me punën sociale;
E dyta, programet akademike nuk përgatitin në masë të madhe studentët për tregun e punës dhe ofrimin e shërbimeve sociale;
E treta, ata pak punëtorë social në QPS nuk kanë kushte të punës dhe nuk kanë mbështetje nga shteti, duke punuar me paga qesharake me gjithë presionin dhe ndjeshmerinë e rasteve;
Paramendojeni një ligj që rregullon shërbimet sociale në vend, shërbimet ndaj familjes, fëmijëve, të moshuarve e kategorive tjera të ndieshme sociale nuk është plotësuar/ndryshuar që nga viti 2007.
Ky është një skandal që Kurti është dashur ta përfundojë menjëherë me ardhjen e tij në pushtet por fatkeqësisht ende nuk është miratuar.
Sot kur po shënohej Dita Botërore e Punës Sociale, Kryeministri Kurti si reforma të tij në raport me çështjet sociale përmendi shtesat simbolike për fëmijë dhe nëna lehona.
Kryeministër, për dalllim nga të tjerët mirë që i keni bërë këto shtesa por të lutëm mos u lavdëro për to sepse ato janë simbolike për të mos thënë qesharake.
Kryeministër Kurti, jeni orientuar si i majtë por veprimet dhe vendimet i keni shumicën të djathta.
Kryeministër, jeni thirrë në mbështetje të kategorive sociale por nuk keni fare Ministri të çështjeve sociale, madje e keni shuar një Ministri që merrej me çështje të tilla.
Kryeministër, e keni një institut të politikave sociale brenda Ministrisë së Financave, a i ke thirrë në raport, cilat politika sociale i kanë hartuar së fundi?
Kryeministër, si mendon të krijosh reforma sociale kur nuk ke ministri të familjes dhe madje as ju e as Ministri Murati nuk keni ekspertë që t’iu këshillojnë për politikat sociale në vend?
Kryeministër, si mendon të krijosh reforma në qendra për punë sociale kur punëtorët social, sociologët e psikologët i ke të punësuar si kamarierë e në punë tjera fizike kurse QPS-të i ke të mbushura me individ që se kuptojnë ndoshta as çfarë është shërbimi social?
Me këtë qasje dhe mungesë vizioni nuk bëhen reformat në shërbimet sociale në vend.
Shembulli më i mirë për të pasqyruar gjendjen e shërbimeve sociale në vend është rasti i rrahjes dhe keqtrajtimit që iu bë të moshuares në Pejë, muaj më parë. Aty e shohim nivelin e përgatitjes së stafit dhe cilësinë e shërbimeve sociale në vend.