Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Shoqatën e ish të burgosurve politikë, në 42-vjetorin e demonstratave të vitit 1981. Ai u mirëprit nga kryetari i shoqatës, Shefik Sadiku dhe anëtarë të kryesisë së kësaj shoqate.
Në këtë përvjetor të demonstratave që shënuan fillimin e një procesi që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë e deri në çlirimin e vendit, ata kujtuan e rikujtuan ngjarjet dhe rrugën që ato trasuan.
Demonstratat e vitit 1981, që nisën si protestat spontane të studentëve për kushte të dinjitetshme dhe trajtim të barabartë, shpejt morën mbështetjen edhe të punëtorëve dhe mbarë popullit, që së bashku kërkonin liri, drejtësi, të drejta, Republikë e vetëvendosje.
“Forca, guximi dhe organizimi i studentëve, rinisë dhe punëtorëve atëbotë përballë shtypjes së dhunshme dhe padrejtësisë sistematike janë shembull i vetëdijes që duhet ndjekur për çdo ditë dhe përkujtuar për çdo vit”, theksoi kryeministri Kurti.
Mw pas, Kurti, mori pjesë edhe në tubimin me studentë, në shënim të 42-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, të organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, ai tha se demonstratat e vitit 1981, prodhuan një gjeneratë të tërë të rinisë studentore të burgosurish, që edhe sot njihen si “Brezi ’81”.
“Ky brez i cili nga brenda burgut do të prodhonte edhe një lloj të veçantë letërsie që nga vetë ata është quajtur ‘letërsi burgu’, apo ‘letërsi nga burgu’, e që do të paguanin një faturë të lartë politike me jetën e tyre. Mbi tre mijë të burgosur, do të kalonin rreth 25 mijë vite në burgje, teksa më 1986, Kosova ishte kthyer në vendin me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Evropë. Rreth gjysma e popullsisë totale të Kosovës ishte përfshirë në demonstrata, kurse diku 1/3-ta e saj, do të kalonte nëpër procedurat e tmerrshme të marrjeve në pyetje, përndjekjeve politike dhe torturave nga policia dhe shërbimi sekret i UDB-së famëkeqe”, tha kryeministri Kurti para të pranishmëve.
Kurti shtoi se demonstratat e pranverës së vitit 1981 pasuan demonstratat e vitit 1968 dhe frymëzuan e inkurajuan të gjitha organizimet e zhvillimet çlirimtare të më pastajme, e sidomos UÇK-në.