Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici, gjatë 24 orëve të fundit. Rastet e raportuara kanë ndodhur në Prishtinë, Suharekë, Prizren dhe Gjakovë.
Tre prej katër personave që kanë qenë ushtrues të dhunës janë arrestuar, ndërkaq i katërti është liruar në procedurë të rregullt, raporton teve1.info
Rasti i parë ka ndodhur në kryeqytet, ku gruaja e ka raportuar burrin e saj për dhunë në familje, pasi që i njëjti e ka sulmuar fizikisht. Viktima me dëshirën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa lidhur me veprën i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
I arrestuari i dytë për dhunë në familje është nga Suhareka, i cili nën ndikimin e alkoolit ka shkaktuar dhunë në familjen e tij, si dhe ka sulmuar fizikisht djalin e tij. Lidhur me këtë rasti prokurori ka marrë vendim që i njëjti të dërgohet në mbajtje.
Ndërsa, për personin ndaj të cilit është iniciuar “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë në familje”, prokurori ka rekomanduar që i njëjti të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Ky rast ka ndodhur më datë 16 shkurt të këtij viti në Prizren. Shkaku i dhunës dhe sulmit viktima ka pësuar lëndime dhe të njëjtës i është ofruar tretman mjekësor.
Ndërkaq, personi i tretë është arrestuar për dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka bërë të ditur se viktima ka refuzuar të marrë tretman mjekësor dhe strehim, por e njëjta është kthyer në shtëpi. Ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.