Uncategorized
Kriza e identitetit shqiptar dhe mos ekzistimi i atij kosovar
Si është e mundur që shqiptarët e Shqipërisë nuk e dinë datën se kur është shpallur Pavarësia e Kosovës?
Në fillim kur e pashë storien e realizuar nga një TV në Kosovë, mendova që qytetarët shqiptarë janë duke u tallur në mënyrë cinike me gazataren ose e dinë datën, por siç do të dëshiroja unë, nuk duan ta pranojnë realitetin e Kosovës si të ndarë nga Shqipëria, por fatkeqësisht këtë nuk e tha asnjë qytetar.
E vërteta ishte që ata në realitet nuk e dinë se kur është shpallur Pavarësia e Kosovës dhe madje as nuk ndjehen fajtorë për këtë.
Një realitet i tillë është dëshmia më e mirë se sa shumë jemi të ndarë mes nesh dhe sa pak është punuar në unifikimin e kombit tonë.
Për dallim nga qytetarët në Shqipëri, në Kosovë e dinë datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por një pjesë e madhe e tyre nuk e dinë simbolikën e ngjyrave të flamurit tonë shtetëror.
Mbledhje të përbashkëta të dy qeverive çdo vit, deklarata “të fuqishme” nga Kryeministri Rama për Kosovën, projekte të shumta të përbashkëta dhe mbi të gjitha mijëra turistë nga Kosova që vizitojnë për çdo vit bregdetin shqiptar, por që të gjitha këto dhe shumë të tjera nuk kanë arritur që të përafrojnë kombin tonë apo vetëdijen mbi identitetin.
Absurd edhe më i madh është që politikanë të caktuar tek ne ende manipulojnë me kauzën kombëtare duke u thirrë në bashkim kombëtar dhe në emër të kësaj kauze, ndër të tjerash, kanë ardhur edhe në pushtet.
Jo, jo, kështu nuk bëhet bashkimi!
Ndërkohë në disa pjesë të Maqedonisë siq raporton gazetari Marin Mema, fëmijët mezi flasin shqip, pasi nuk mësojnë shqip në shkolla, por fatmirësisht ndjehen shqiptarë për dallim nga shumë të tjerë në vende tjera të Ballkanit të cilët fatkeqësisht janë asimiluar.
15 vjetori i shpalljes së pavarësisë shpërfaqi edhe kësaj radhe mos ekzistimin e kombit kosovar, siq pretendonin dhe pretendojnë disa ithtarë të tij, dhe sipas planit të bashkësisë ndërkombëtare e cila tentoi me vite që në Kosovë të ndërtojë një komb kosovar të modelit komb qytetar, ku kombi identifikohet me shtetin dhe ku secili qytetar që jeton në të ndjehet kosovar përtej etnisë që posedon.
Fakte për mos ekzistimin e kombit kosovar patëm mundësi të shohim edhe gjatë shënimit të festës së pavarësisë, ku u pa një festë e zbehtë, ku qytetarët festonin më shumë me flamurin kuq e zi dhe shumë pak me atë të Kosovës.
Festuan si festuan shqiptarët dhe një pjesë e komuniteteve, por nuk festuan serbët e asnjë komune në Kosovë dhe këtë nuk do të bëjnë asnjëherë.
Organizimi i festës ishte shumë i vonshëm dhe i zbehtë, por ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e flamujve të Kosovës madje edhe atij kombëtar në ndërtesa banesore, shtëpi dhe biznese.
Festa e zbehtë e kësaj date historike ishte edhe si pasojë e një realiteti të hidhur që politikanëve tonë nuk po u lë përshtypje. Kosova është zbrazur dhe sipas trendit të ikjes së të rinjve, shteti ynë do të mbetet me më pak se 1 milion banorë rezidentë.
Shpjegimi më i mirë për gjithë këtë situate, sigurisht është që ky sistem qeverisës dhe kjo “kastë” politike në Kosovë me politiken e tyre të dështuar, korruptive e nepotiste, që nga paslufta, e kanë vu në depresion kolektiv këtë shoqëri duke e zhveshë edhe nga identiteti, ku si pasojë, qytetarit të rëndomtë të Kosovës, i intereson vetëm sigurimi i bukës së gojës dhe mirëqenie, që shteti nuk ua siguroi asnjëherë.
Nga e gjithë kjo që shtjelluam më lart dhe faktet që sollëm, vijmë në dy konkluzione, njëri shumë i frikshëm dhe tjetri për dikënd zhgënjim, por për dikënd mund të jetë shpresë.
1. Identiteti kombëtar shqiptar ndodhet në krizë dhe po tkurret vazhdimisht;
2. Kombi kosovar nuk ekziston dhe mos ekzistimi i tij do të thotë dështim i faktorit ndërkombëtar dhe projektit të tyre në njerën anë dhe në anën tjetër është zhgënjim për ata që proklamojnë kombin kosovar, kurse për ata që besojnë në bashkim me Shqipërinë është shpresë, por shumë pak e realizueshme me këta politikanë dhe këtë mendësi politike dhe shoqërore, që fatkeqësisht kemi andej dhe këndej kufirit.