LAJME

8 senatorë amerikanë i bëjnë thirrje Bidenit të marrë masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse s’ka shtensionim

Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen, Chris van Hollen, Benjamin Cardin, Peter Ricketts, Tom Tillis, Peter Welch dhe Richard J. Durbin, i janë drejtuar presidentit të SHBA-së, Joe Biden, me një letër, për ta shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Tetë senatorët amerikanë në letër i kanë bërë thirrje presidentit të SHBA-së që të shqyrtojë masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ka depërshkallëzim të situatës.

Në letër është thënë se janë alarmuese “vendimet e marra nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që po vazhdojnë përshkallëzimin e tensioneve në vend të depërshkallëzimit”.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e afro 600 trupave amerikane që shërbejnë në misionin KFOR. Ne vlerësojmë angazhimet diplomatike të SHBA-së për ta depërshkallëzuar krizën, por këto angazhime nuk janë reciproke në veçanti nga Kosova. Si pasojë, jemi të gatshëm të marrim në konsideratë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër.

Në letër Bidenit i është bërë thirrje të përqendrohet “kapitali diplomatik në mënyrë efikase për t’i zgjidhur çështjet mes dy vendeve”.

“Ne jemi të tronditur nga veprimet e fundit të marra nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për ta rrezikuar normalizimin, duke marrë vendime provokuese që rrezikojnë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale. Këtu përfshihet arrestimi i fundit i tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor. Vendimi i serbëve të Kosovës që të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës për të siguruar me forcë qasje në objektet e komunave rezultuan me përshkallëzim dramatik të tensioneve dhe dhunës, që tash rrezikon paqen fragjile në rajon. Ne ju bëjmë thirrje juve të ushtroni të gjitha presionet e mundshme diplomatike për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe për t’u kthyer te progresi në Marrëveshjen e Ohrit. Ne mbështesim propozimin e BE-së për Serbinë dhe Kosovën, ku përfshihet: tërheqja e kryetarëve nga objektet e komunave në veri të Kosovës; pezullimi i operacioneve policore në rrethinë të ndërtesave të komunave, shoqëruar nga përfundimi i protestave; shpallja e zgjedhjeve të reja me zotimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; kthimi në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet në letrërn të cilën e ka postuar The Geopost.

Tetë senatorët amerikanë kanë thënë se pa pasur “vendosmëri për t’i marrë këta hapa, duhet pezulluar gjitha shitjet e planifikuara të armëve dhe çdo zgjerim i marrëdhënieve bilaterale në fushën e sigurisë me të dyja vendet”.

Po ashtu është kërkuar që t’i ofrohet Senatit një raport për të konfirmuar se “dy qeveritë po ushtrojnë përmbajtje për të evituar çdo veprim të panevojshëm që do t’i rrezikonte trupat amerikane që janë pjesë e KFOR-it”.

“Ne jemi po ashtu të gatshëm të rishikojmë financimet dhe autorizimet vjetore bilaterale për të dyja vendet, sipas nevojës”, thuhet në letër.

Senatorët amerikanë kanë thënë se SHBA-ja ka luajtur rol kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të vazhdohet përfshirja.
“Por, këto marrëdhënie duhet të ndërtohen në mirëbesim, bashkëpunim kuptimplotë, dhe në vlera të përbashkëta. Këto episode të fundit nuk i shohim si devijim të përkohshëm nga marrëdhëniet bilaterale; por e shohim si moment vendimtar në trajektoren e marrëdhënieve tona me të dyja vendet”, thuhet në letër.

Back to top button